Mënyra e mbajtjes së duarve në namaz

Mënyra e mbajtjes së duarve në namaz

Gjatë hyrjes në disa xhami, një person përballet me një grumbull njerëzish të ndryshëm. Ai vëren dikë që qëndron në namaz me duart e kapura së bashku nën kërthizë, disa me duart e tyre të vendosura mbi kraharor, dhe disa me duart e tyre nën kraharor. Ai gjithashtu sheh disa të tjerë që falin namazin me duart e lëshuara anash. Pas vështrimit të një pamjeje të tillë, pyetja që shumë shpesh lind në mendjet e këtyre personave është: “Cila është metoda e saktë e vendosjes së duarve në namaz?” ose “Ku i ka vendosur i Dërguari i Allahut a.s. duart e tij gjatë namazit?” Diskutimi në vijim do të kërkojë t’i përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të përcaktojë Sunetin (metodën më të preferuar) e vendosjes së duarve gjatë qëndrimit (në këmbë) në namaz. Pika e parë që duhet të sqarohet këtu është se të gjitha mënyrat e vendosjes së duarve në namaz, të përmendura në hadithet profetike, janë të lejuara dhe diferenca e mendimit është se cila prej metodave është më e preferuar prej tyre. Pika e dytë është se ka shumë pak hadithe autentike (sahih) në lidhje me këtë çështje dhe shumica e transmetimeve, që shpjegojnë mënyrat e ndryshme të mbajtjes së duarve në namaz, janë klasifikuar ose si shumë të dobët ose lehtësisht të dobët. Ky fakt e bën çështjen pak më të ndërlikuar se çështjet e tjera. Megjithatë, shpresohet se deri në fund të këtij kapitulli, suneti dhe metoda më e preferuar e vendosjes së duarve në namaz do të bëhet e qartë. Hadithet për këtë çështje Dijetarët pohojnë se nuk ka asnjë hadith të saktë që të vërtetojë mendimin e Imam Malikut për lëshimin e duarve anash trupit gjatë namazit. Disa kanë përmendur se arsyeja për një veprim të tillë është frika e thellë, droja dhe respekti për Allahun e Lartësuar, se kur një person qëndron përpara Tij, ai harron t’i lidhë duart e tij së bashku dhe ato lihen të lëshuara në dy anët e trupit. Cilado qoftë arsyeja, ekzistojnë transmetime nga disa sahabe, të cilët janë falur me duart e lëshuara në dy anët e trupit. Nga ana tjetër, ekzistojnë transmetime të shumta, që vërtetojnë se Pejgamberi a.s. i vendoste duart në trupin e tij, ndërsa qëndronte në këmbë gjatë namazit dhe nuk i lëshonte ato në dy anët e trupit. Këto transmetime, gjithsesi, ndryshojnë shumë rreth faktit se ku i vendoste saktësisht Pejgamberi a.s. duart në trupin e tij. Një transmetim shumë i njohur në lidhje më këtë çështje është ai i Uail ibën Huxhr r.a., i cili gjendet në shumë koleksione hadithesh. Sidoqoftë, dijetarët e kanë etiketuar këtë transmetim si problematik [mudtarib] dhe kontradiktor. Në një version të këtij transmetimi, që gjendet në Sahihun e Ibn Huzejmes, Ua’il Ibën Huxhr ka thënë: “Kam falur namazin me të Dërguarin e Allahut (a.s.) dhe ai vendosi dorën e tij të djathtë mbi të majtën në kraharor”. Varianti në Musnedin e El-Bezzarit ka fjalët “afër kraharorit” në vend të “në kraharor”, ndërsa te “Musanaf Ibën Ebi Shejbe” theksohet “nën kërthizë”. Dy variantet e para mbështesin mendimin e atyre, të cilët pohojnë se është më e preferueshme vendosja duarve në kraharor ose pranë tij, ndërsa varianti i tretë mbështet mendimin e medhhebit hanefi. Sidoqoftë, duhet vërejtur se të tre këto versione përmbajnë disa elemente dobësie. Secili prej tyre do të analizohet në paragrafët në vijim, së bashku me transmetimet e tjera, për të përcaktuar statusin dhe arsyet e dobësisë së tyre. Argumente të ofruara nga dijetarët hanefi 1- Ua’il bin Huxhr r.a. tregon: “E kam parë të dërguarin e Allahut a.s. duke vendosur dorën e tij të djathtë mbi të majtën poshtë kërthizës”. Ky është versioni i tretë i transmetimit të Ua’il bin Huxhr, të cilin e përmendëm në fillim të kapitullit, që përmban fjalët “poshtë kërthizës”. Disa dijetarë hanefij kanë pohuar se ky version nuk mund të përdoret si provë përfundimtare për opinionin e mbështetur nga medhhebi hanefi, për arsye se fjalët “poshtë kërthizës” gjenden vetëm në disa botime të Musanaf Ibn Ebi Shejbe dhe jo në të gjitha botimet. Duhet marrë parasysh edhe fakti që, siç e kemi përmendur edhe më parë, ky transmetim ka një tekst të parregullt. Megjithatë, në “Fet’hul Mulhim” citohet se El-Alame Kasim bin Kutlubega e ka gjykuar këtë version si të saktë. Muhamed Ebu Tajib el-Medenij ka shkruajtur në komentin e tij të Sunenit të Tirmidhiut se ky transmetim ka një zinxhir të fortë, ndërsa Shejh Abid Es-Sindij pohon se: “transmetuesit e tij janë të besueshëm”. Gjithashtu, një numër dijetarësh kanë vërtetuar se shtesa “poshtë kërthizës” gjendet në shumë dorëshkrime të Musanaf ibn Ebi Shejbe, ndonëse jo në të gjitha variantet e publikuara së fundmi. Prandaj, pavarësisht nga natyra problematike e transmetimit të Ua’il Ibn Huxhr, ky version nuk mund të konsiderohet plotësisht i papranueshëm, meqenëse ekzistojnë edhe transmetime të tjera të besueshme që e përforcojnë këtë version. 2- Aliu r.a. thotë: “Vendosja e njërës dorë mbi tjetrën poshtë kërthizës është një sunet praktik i namazit”. Është një fakt i njohur se sa herë që një sahabi thotë fjalët “është prej sunetit” në lidhje me ndonjë veprim, kjo do të thotë se veprimi në fjalë është marrë nga vetë Profeti a.s. Kështu që, Aliu r.a. mund të jetë shprehur se ky veprim është sunet, vetëm pasi të ketë parë Profetin a.s. duke vepruar në këtë mënyrë. 3- Haxhaxh ibn el-Hasen tregon: Ose e kam dëgjuar nga Ebu Mixhlaz duke e thënë, ose e kam pyetur vetë: “Si duhet dikush t’i pozicionojë duart e tij (gjatë namazit)?” Ai u përgjigj: “Ai duhet të vendosë nën kërthizë pjesën e brendshme të dorës së tij të djathtë mbi shpinën e dorës së majtë”. Siç ka përmendur edhe Ibën El-Turkumani el-Mardini, në librin e tij El-Xheuher el-Naki, transmetimi i këtij hadithi është i mirë [hasen]. 4- Ibrahim Nek’hai tregon: “Kur dikush është në namaz, duhet të vendosë poshtë kërthizës dorën e tij të djathtë mbi atë të majtën”. Edhe transmetimi i këtij hadithi është, gjithashtu, i mirë [hasen]. 5- Ebu Hurejre r.a. transmeton: “Vendosja e njërës dorë mbi tjetrën në namaz duhet të jetë nën kërthizë”. 6- Enesi r.a. transmeton se: “Ekzistojnë tre aspekte nga veçoritë e profetësisë (nubuveh): të çelësh iftarin herët, të shtysh syfyrin dhe të vendosësh dorën e djathtë mbi të majtën nën kërthizë në namaz.” Argumente të tjera që mbështesin mendimin e hanefive Dijetarët kanë dhënë argumente të ndryshme se pse duart duhen vendosur poshtë kërthizës dhe përse kjo metodë është klasifikuar si më e preferuara.

Cili është reagimi juaj?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow