Rëndësia e fjalës së mirë

Në Islam, fjala e mirë është ndër veprat më të vlerësuara dhe më të dashura tek Allahu. Ajo konsiderohet si një formë adhurimi që nuk kërkon mund të madh dhe as shpenzim material, por që sjell shpërblime të pamatshme. Fjala e mirë është dëshmi e pastrisë së zemrës dhe e bukurisë së shpirtit, një mjet i fuqishëm për të ndërtuar ura dashurie, respekti dhe paqeje midis njerëzve.
Allahu i Madhëruar në Kuran i porosit besimtarët që të jenë të kujdesshëm me fjalët që thonë. Ai thotë:
“Thuaju robërve të Mi që të thonë fjalë më të mira, sepse me të vërtetë djalli fut përçarje mes tyre. Vërtet djalli është armik i hapur për njeriun.” (Sureja El-Isra, ajeti 53)
Ky ajet i madhërishëm na mëson se fjala e mirë nuk është thjesht një zgjedhje personale, por një detyrim fetar që ndihmon në ruajtjen e unitetit dhe vëllazërisë mes njerëzve. Fjala e keqe, në anën tjetër, mund të shkaktojë armiqësi, keqkuptime dhe përçarje, duke hapur rrugën e veprave të djallit.
Profeti Muhammed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
“Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose të heshtë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ky hadith përmbledh një nga normat më të rëndësishme të sjelljes islame. Fjala e mirë nuk është vetëm një zbukurim i gjuhës, por një tregues i vërtetë i besimit dhe i devotshmërisë. Një besimtar i vërtetë është ai që peshon fjalët e tij përpara se t’i shqiptojë dhe që zgjedh të flasë vetëm atë që është e dobishme, e drejtë dhe e këndshme.
Çdo fjalë e mirë konsiderohet sadaka. Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) ka thënë:
“Sadaka është obligim për çdo musliman.”
Ata e pyetën: “Po nëse nuk gjen diçka për të dhënë?”
Ai u përgjigj: “Le të punojë me duart e tij dhe të përfitojë për veten dhe të japë sadaka.”
Ata thanë: “Po nëse nuk është i aftë të punojë?”
Ai tha: “Le të ndihmojë nevojtarin dhe të dobëtin.”
Ata pyetën: “Po nëse nuk bën dot as këtë?”
Profeti tha: “Le të urdhërojë për të mirën ose të thotë fjalë të mira.” (Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi)
Një fjalë e thjeshtë, një përshëndetje e ngrohtë, një lutje për dikë, një fjalë inkurajuese në një moment të vështirë mund të ndryshojë ditën ose edhe jetën e një personi. Njerëzit shpesh e mbajnë mend për gjithë jetën një fjalë që u dha shpresë, forcë ose ngushëllim.
Në anën tjetër, fjala e keqe është si një armë që plagos, lëndon dhe shkatërron. Fjala e pavend, ofendimi, përgojimi, thashethemi, tallja ose akuzimi i padrejtë janë mëkate të mëdha që sjellin pasoja të rënda, jo vetëm në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Fjala e keqe mund të shkaktojë prishjen e marrëdhënieve, ndarjen e miqësive dhe madje edhe gjakderdhje.
Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) ka thënë:
“Njeriu mund të thotë një fjalë që e kënaq Allahun dhe nuk i kushton rëndësi asaj, dhe Allahu, për shkak të saj, e ngre atë shumë gradë. Dhe një tjetër mund të thotë një fjalë që e zemëron Allahun dhe nuk i jep rëndësi asaj, dhe për shkak të saj bie në Zjarr.” (Buhariu)
Muslimani duhet të jetë shumë i kujdesshëm me çdo fjalë që thotë. Para se të flasë, duhet të pyesë veten: A është kjo fjalë e mirë? A sjell ajo dobi? A është e vërtetë dhe e drejtë? Nëse përgjigja është po, atëherë mund ta thotë. Nëse jo, më mirë të heshtë.
Në jetën e Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të) kemi shembuj të shumtë të përdorimit të fjalës së mirë. Ai gjithmonë i përshëndeste njerëzit me buzëqeshje dhe fjalë të ëmbla. Edhe me ata që e fyenin dhe e ofendonin, ai tregonte durim dhe fliste me butësi. Një herë, një beduin e kapi me ashpërsi Profetin nga rroba e tij dhe i kërkoi me zë të lartë që t’i jepte diçka nga pasuria e Allahut. Profeti nuk u zemërua, por u kthye dhe i buzëqeshi, duke i dhuruar atë që kërkonte.
Ky shembull na mëson se fjalët e mira dhe sjellja e mirë janë armët më të fuqishme për të fituar zemrat e njerëzve dhe për të përhapur mesazhin e së vërtetës.
Në jetën e përditshme, fjala e mirë mund të praktikohet në shumë mënyra. Kur përshëndesim dikë me selam alejkum, përhapim paqe dhe mirësi. Kur falënderojmë për një ndihmë të vogël, kur ngushëllojmë dikë që është në vështirësi, kur japim këshilla me butësi dhe respekt, kur inkurajojmë dikë që është i dëshpëruar, bëhemi burim i mirësisë.
Fjala e mirë është gjithashtu një shprehje e mençurisë dhe maturisë. Një fjalë e menduar mirë mund të shmangë një konflikt të madh. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Mirësia dhe e keqja nuk janë njësoj. Ktheje (të keqen) me atë që është më e mirë; atëherë, ai me të cilin ke armiqësi, do të bëhet si një mik i ngushtë.” (Sureja Fusilet, ajeti 34)
Ky ajet na mëson një strategji të fuqishme për të përballuar situata të vështira: të përgjigjemi me mirësi dhe butësi edhe ndaj atyre që na kanë bërë padrejtësi. Kjo është një vlerë e lartë morale që vetëm besimtarët e vërtetë mund ta arrijnë.
Fjala e mirë është një pasqyrë e zemrës së pastër dhe e besimit të thellë në Allahun. Ajo është një rrugë drejt kënaqësisë së Tij dhe një mënyrë për të përhapur dritën e Islamit në botë. Çdo njeri që dëshiron të ndjekë rrugën e suksesit në këtë botë dhe në botën tjetër, duhet të kujdeset për fjalët e tij, të flasë vetëm për të mirën dhe të shmangë çdo fjalë që mund të lëndojë, të përçajë ose të nxisë urrejtje.
Allahu na bëftë prej atyre që përdorin fjalët për të përhapur dashuri, paqe dhe drejtësi. Na udhëzoftë që të flasim gjithmonë me mençuri, butësi dhe mirësi, duke ndjekur shembullin e Profetit tonë të dashur, Muhammedit (paqja qoftë mbi të).
Cili është reagimi juaj?






